Një grua mbeti poshtë degëve të një druri që ra mbi të kur në Shkup nisi stuhia e fortë e erës.
Kalimtarë të rastit, por më pas edhe zjarrfikësit arritën ta largojnë, ndërsa më pas me ndihmën e ndihmës së shpejtë u dërgua në spital.
“Kjo është gjendja në Bulevardin “Shën Klimenti i Ohrit, nga erërat e forta pra siç mund ta shihni, është rrëzuar një dru i cili ka rënë mbi një person dhe menjëherë është dërguar në urgjencë me autoambulancë”, raporton gazetarja e TV21, Fazile Halili.
Kontaktuam qendrën e urgjencës në Shkup për mësuar gjendjen e të lënduarës, mirëpo nuk morëm përgjigje.
Rrënjët e kësaj peme ishin në një kafene afër trotuarit. Druri që ra zuri një pjesë të bulevardit, nga ku përveç lëndimit të gruas, është dëmtuar edhe një veturë. Meri Trajanoska, pronare e kësaj makine, për TV21 tha se rastin do ta paraqesë në polici.
“Jam e tronditur, e frikësuar. Asgjë nuk di, lajmëroi vajza ime, më tregoi se ka rënë druri në një veturë, shih mos është e jotja. E shikova, e shoh vetura e dëmtuar, këtë e shoh. E imja është, tani po shkoj në stacion të policisë, ta paraqes. Tjetër, absolutisht asgjë nuk di. Për këtë “peglicën” bëhet fjalë. E gjitha është dëmtuar siç e shihni, kjo është…”, u shpreh Trajanovska.
Erërat e forta shkaktuan dëme edhe në disa pjesë të tjera të kryeqytetit, kryesisht duke thyer degë të drurëve, që bllokonim rrugët.
Ndryshe stuhia e fortë përfshiu edhe disa shtete në rajon, si Slloveni, Kroaci e duke mbërritur edhe në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi.