Viti i ardhshëm 2025 është vit i rregullt zgjedhor në Kosovë dhe nëse partitë politike bien dakord që të mos ketë zgjedhje të parakohshme, Qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Kurti do të jetë e para që do të përmbushë mandatin katërvjeçar që nga shpallja e pavarësisë.
Ndërkaq, në takimin e zhvilluar në Presidencën e Kosovës më 12 gusht, sipas njoftimit, Osmani dhe Hovenier, po ashtu kanë biseduar për fushën e sigurisë, pa dhënë më shumë detaje.
“Thellimi i vazhdueshëm i raporteve bilaterale dhe koordinimi i rregullt për tema të interesit nacional ishin po ashtu pjesë e diskutimeve në takimin e sotëm”, u tha në njoftim.
Diskutimi për thellimin e raporteve dypalëshe, vjen disa ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit inkurajoi Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, që t’i kthehet “angazhimit konstruktiv” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
SHBA-ja së fundi ka shprehur “zhgënjim” për, siç ka thënë, vendimet e pakoordinuara dhe të njëanshme të autoriteteve në Kosovë, pasi në fillim të gushtit në veri të Kosovës u mbyllën disa degë të Postës së Serbisë.
SHBA-ja, por edhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar, po ashtu kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës, që të hapë për trafik urën mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe./REL