Become a member

Get the best offers and updates relating to Liberty Case News.

― Advertisement ―

spot_img

Më 8 tetor në Budapest do të nënshkruhet marrëveshja për huanë hungareze

Të martën e ardhshme në Budapest do të nënshkruhet marrëveshja për huanë hungareze në vlerë prej 500 milionë euro. Ministrja e Financave Gordana Dimitrievska...
HomeSPORTTransferimin në Ukrainë, Krasniqi e vlerëson pjesë të një plani të madh

Transferimin në Ukrainë, Krasniqi e vlerëson pjesë të një plani të madh

Ilir Krasniqi ka bërë rrugë të gjatë për të mbërritur në Kovalivka të Ukrainës. Arsyet e udhëtimit të jashtëzakonshëm për në Ukrainë tashmë dihen – pushtimi rus i këtij vendi.

“Rruga ka qenë një përvojë interesante dhe sfiduese. Ka qenë e lodhshme por e qetë”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.

Krasniqi nuk zbulon shumë detaje nga udhëtimi. Por mbrojtësi i Kosovës zbulon synimin që ka në të ardhmen.

“Të luaj në një nga ligat më të forta evropiane, si Seria A apo në një klub të njohur evropian”, thotë Krasniqi.

Hapin e parë drejt realizimit të synimit të madh thotë se e ka bërë. 24-vjeçari është transferuar te Kolos Kovalivka nga Llapi, ndërsa me klubin ukrainas ka nënshkruar kontratë dyvjeçare

“Dhe ky hap më dërgon më pranë qëllimit të madh”, thotë Krasniqi.

Ai insiston se kalimi te Kolosi nuk është hap i vogël.

“Jo, nuk e shoh si hap të vogël, por si një gur themel për qëllimet e mia më të mëdha. Çdo përvojë është një mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur dhe unë e shoh këtë si pjesë të një plani më të madh”.

Krasniqi është gati për sfidën e re.

“Ky hap është shumë i rëndësishëm për mua, sepse më jep mundësinë të përmirësohem profesionalisht. Të luaj në një klub të ri dhe në një ligë tjetër, është një sfidë që do të më ndihmojë të zhvillohem si lojtar dhe të fitoj më shumë përvojë ndërkombëtare. Çdo hap në karrierë ka rëndësi dhe ky është një moment kyç për mua që të dëshmoj veten në nivele të reja”, ka thënë Krasniqi.

Ai pritet të prezantohet në fillim të javës te skuadra ukrainase. Në Ukrainë luajnë edhe disa lojtarë të tjerë shqiptarë.

“Pritja ka qenë shumë e ngrohtë. Të gjithë, nga stafi teknik deri te bashkëlojtarët, kanë qenë shumë mikpritës dhe mbështetës. Jam ndier shumë i mirëpritur dhe më është ofruar ndihmë që të përshtatem sa më shpejt me ekipin dhe jetën e re në Ukrainë. Atmosfera në klub është shumë profesionale dhe motivuese”, thekson Krasniqi.

Mbrojtësi 24-vjeçar iu bashkua Llapit në janar të vitit 2021 nga KEK-u, ndërsa ka luajtur edhe për Fushë Kosovën.

Krasniqi i kaloi tre vjet e gjysmë te skuadra e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina dhe luajti në 121 ndeshje. Ka realizuar katër gola dhe bëri katër asistime.

Krasniqi ka edhe shtatë paraqitje me Kosovën, ndërsa ishte i grumbulluar edhe për ndeshjet e muajit shtator.

Me Kosovën ëndërron të luajë në ndonjë ngjarje të madhe të futbollit.

“Është ëndrra ime më e madhe ta përfaqësoj Kosovën në një Evropian apo Botëror. Ky është një nga motivet kryesore pse përpiqem kaq shumë në karrierën time. Të luaj për ekipin kombëtar në një ngjarje të madhe do të ishte një nder i jashtëzakonshëm dhe një arritje që do të më plotësonte si sportist. Shpresoj që me përkushtim dhe punë të vazhdueshme do ta arrij këtë ëndërr”, ka thënë Krasniqi.